Unioni doganor për 6 muaj? Zona e lirë ekonomike në Ballkan, fillojnë procedurat
Unioni doganor mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që përkthehet në një zonë të lirë ekonomike në rajon, mund të vihet në jetë brenda 6 muajve të ardhshme, shkruajnë disa media të rajonit.
Unioni doganor mes Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë ishte një ndër temat kryesore të takimit mes kryeministrave të të 6 vendeve gjatë samitit të Sarajevës javën e kaluar.
Marrëveshja për koordinimin e procedurave dhe dokumentacioni që më pas do të çojë në krijimin e unionit doganor, me shumë gjasa do të nënshkruhet në panairin e Mostarit.
Qëllimi është ai që në samitin e Triestes, që do të zhvillohet në muajin Korrik mes këtyre vendeve, kjo çështje të jetë mbyllur në aspektin politik, dhe të mbeten vetëm çështjet teknike.
Në fillim të kësaj jave, përfaqësues të dhomës serbe dhe asaj boshnjake të tregtisë dhe industrisë u takuan në Beograd për të vendosur piketat kryesore të komunikimit edhe me dhomat e tjera në mënyrë që të përshpejtohet procesi.
Gjatë samitit të Sarajevës, ishte Komisioneri Hahn ai që foli në konferencën për shtyp pikërisht për një union doganor, duke nënvizuar se është pikërisht ekonomia kali i betejës për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Unioni doganor pritet të nxisë ndjeshëm tregtinë brenda rajonit. Tregtia rajonale, pavarësisht se përfiton nga një marrëveshje, të njohur si CEFTA, ka ritme mjaft të ulta.
Unioni doganor do ta çonte në një nivel krejt tjetër bashkëpunimin rajonal dhe ekonominë e 6 vendeve të përfshira.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.