Universitetet, del libri i transparencës, QSHA: Verifikoni të dhënat, si të korrigjoni pasaktësitë
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar librin e transparencës, përmes të cilit kandidatët për në universitet mund të gjejnë të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të Maturës Shtetërore.
Përveç notave të provimeve të detyruar dhe atyre me zgjedhje, maturantët do të gjejnë edhe preferencat e përzgjedhura në Formularin e Aplikimit në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2017-2018.
Publikimi i librit të transparencës është mundësia fundit e konkurrentëve për saktësimin e të dhënave të tyre, të cilat mund t’i penalizojnë në listimin e fituesve. Për këtë arsye, të gjithë ata kandidatë që konstatojnë të dhëna të gabuara, do të duhet të plotësojnë formularin e korrigjimit të pasaktësive.
Afati i fundit për dorëzimin e tij është ora 14:00 e datës 10 gusht 2017. Ndërkohë që, sa i takon procedurës, QSHA saktëson se pas plotësimit nga maturanti, nevojitet edhe konfirmimi zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtorive arsimore rajonale.
Ndërkohë që janë këto të fundit, të cilat i përcjellin të dhënat pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, për të hedhur korrigjimet në sistem. Paralelisht, formuari i korrigjimit të pasaktësive duhet të përcillet edhe zyrtarisht, në format letër.
Të dhënat përfundimtare, të cilat do t’u shërbejnë institucioneve të arsimit të lartë për përllogaritjen e pikëve, rankimin e kandidatëve dhe shpalljen e fituesve do u përcillen universiteteve brenda datës 23 gusht.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.