Ushqimi i së ardhmes, problem teknik apo politik?
Nga Milena Gabanelli
Për një jetë të shëndetshme e aktive, organizimi ka nevoja për 2.100 kalori në ditë. Për të krijuar një ide: 100 gram qumështi i korrespondojnë 47 kalori, bukës 250, orizit 300 etj. Sot, 815 milionë persona ushqehen me më pak se një grusht oriz në ditë!
Të dhënat e organizatave botërore si FAO apo Unicef vënë në dukje se fenomeni është në rritje: 38 milionë të uritur më shumë kundrejt vitit 2015. E këto numra gëlltiten brenda një shqetësimi më të përgjithshëm: nëse sot 815 milion persona nuk ushqehen, si do të mund të shuhet uria në një planet që në vitin 2050 do të arrijë te 10 miliardë banorë?
Përgjigja e industrisë dhe e agjencive ndërkombëtare është një: Duhet prodhuar më shumë ushqim. Ndërkohë të shohim se ku sot vuhet në shumë nga uria dhe pse.
Ku vdesin nga uria dhe pse?
Kriza ushqimore më e rëndë në botë përjetohet në Jemen dhe përfshin 17 milion persona. Tre vite konflikt e kanë bërë dërgimin e ushqimit gjithnjë e më të vështirë. 7 vite luftë në Siri kanë bërë që çmimi i ushqimeve të pësojë rritje me 800 %, duke bërë që 6 milionë sirianë të vuajnë urinë, së bashku me 7 milion të tjera që jetojnë në rajonin e liqenit Ciad, të kthyer në strehim terrorizmi e persekutimi.
Lufta dhe përplasjet janë arsyeja e kequshqyerjes në Afrikën Qendrore, në republikën demokratike të Kongos, në Nigeri, Sudan, Libi, Afganistan etj. Pastaj janë edhe “shock-et” klimatike që godasin Etiopinë, Somalinë, Senegalin, Mauritaninë, Burkina Fason dhe Pakistanin. Për shkak të përmbytjeve dhe nivelit të lartë të varfërisë, miliona persona e kanë barkun bosh në Bangladesh, Mongoli dhe në zonat rurale të Indisë.
Ushqimi i së ardhmes: OMG, insekte e hamburger laboratori
Popullata e botës është aktualisht 7.5 miliardë, dhe do të rritet në 8.6 miliardë në vitin 2030, dhe në 9.8 miliardë në vitin 2050. Kjo tregon një ngadalësim të rritjes demografike, me një përjashtim të vetëm: Afrikën, që do të përbëjë e vetme 50% të 2.3 miliardëshit të pritshëm pas 32 vitesh. Në veçanti, vlerësohet se Nigeria do të bëhet vendi më i populluar në botë (sot është i 7). Në bazë të këtyre indikatorëve, organizata botërore e ushqimit FAO vlerëson se do të jetë e nevojshme rritje e prodhimit me 50 %.
Prej kohësh, të mëdhenjtë e industrisë kimike ngrenë problematikën e “urisë në botë” për të zgjeruar kultivimet OMGJ (Organizmat e modifikuar gjenetikisht). Së fundmi, kërkimet shkencore janë përqendruar në atë që cilësohet si “ushqimi i së ardhmes”. Bëhet fjalë për ushqime të reja të afta për të përmbushur kërkesën duke shkurajuar kultivimet intensive. Studimi i fundit që ka si objektiv shuarjen e urisë në botë, vjen nga Finlanda, ku një grup kërkuesish ka krijuar proteina në laborator duke u nisur nga energjia e rinovueshme. Bashkëthemeluesi i Google, Sergei Brin ka financuar prodhimin e hamburgerit në laborator.
Një lloj mishi paksa i kushtueshëm por më pak ndikim në mjedis. Me një teknikë të ngjashme, në Shtetet e Bashkuara po arrin të shumojë albuminën e vezës pa pasur nevojë për pulat. Fondacioni “Bill&Melinda Gates” po investon ne kryqëzimin e lopëve dhe pulave për të përmirësuar racën e prodhimin e tyre, që do t’u jepen kultivuesve në Afrikë. Po ashtu po rriten në shkallë të gjerë kultivimi i insekteve pasi ata janë të ushqyeshëm, kanë shumë proteina e riprodhohen shpejt si dhe përshtaten me çdo habitat.
Gojët për t’u ushqyer nuk janë të gjitha njësoj
Ide, projekte e prodhime që u sigurojnë më shumë të ardhura vendeve të pasura dhe kompanive ndërkombëtare pa spostuar një presje nga origjina e problemit. Krizat më të mëdha të ushqimit në botë nuk janë shkaktuar nga mungesa e ushqimit por nga konfliktet e armatosura që shkatërrojnë infrastrukturat, bëjnë të pamundur kultivimet, pengojnë furnizimet, ndërpresin punësimin dhe ndihmën mjekësore, duke prodhuar recesione ekonomike dhe si rrjedhojë e bëjnë të pamundur aksesin në tregjet e ushqimeve. Këtyre iu shtohen edhe katastrofat natyrore që vitin e kaluar kanë detyruar 19 milionë persona që të transferohen.
Cyril Lekiefs, shefi i sigurisë ushqimore të “Action contre le Faim”, organizatës ndërkombëtare që merret prej vitesh me këtë tematikë, nuk ka dyshime: Këto zgjidhje janë të destinuara për konsumatorë që jetojnë në veri të botës, hamburgeri i laboratorit nuk do të mbërrijë kurrë te personat që mbijetojnë me 1 dollarë në ditë”.
E vetmja mënyrë për të ushqyer këto popullata është ajo e dërgimit të ushqimit. UNICEF po investon në teknologji për të përforcuar infrastrukturat, aksesin në shërbime dhe në informacione. Komisioni Europian nga ana tjetër vendos para dhe është donatori më i madh në botë: 750 milionë euro në vitin 2016 dhe inkurajon shpërndarjen e kutive direkt nëpër fshatra.
Uria është një problem politik
Duke konsideruar faktin se në vitet e ardhshme shtimi i popullsisë do të vijë nga zonat rurale dhe të paqëndrueshme të Afrikës, çfarë po mendohet të bëhet? Goditjet klimatike dhe konfliktet mund të zgjidhen vetëm duke rimenduar modelet e zhvillimit që kalojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare ose me një shpërndarje të barabartë të pasurisë. Pa këtë parakusht, askush nuk mund të ndalojë urinë në botë e kështu edhe flukset migratore.
Ndërsa 11 % e popullsisë botërore është e kequshqyer, 600 milionë persona janë obezë dhe 1.3 miliardë mbipeshë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, çdo vit, një e tretë e të gjithë prodhimit ushqimor hidhet para së të arrijë të konsumatori. Duhet përmendur se bëhet fjalë për 1.3 miliardë tonelata ushqime me në një vlerë të përgjithshme 1 trilionë dollarë në vit.
Sipas organizatës “Action contre la faim” “që sot kemi mundësinë që të ushqejnë 10 miliardë persona në tokë. Uria nuk është një problem teknik. Është një problem politik”
Marrë nga Corriere/ Përshtati në shqip SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.