Ushtari Eagle 17 – Meta i pranishëm në stërvitjen shqiptaro-britanike
Presidenti i Republikës, ka ndjekur nga afër stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Ushtari Eagle 17”.
Gjatë kësaj veprimtarie stërvitore ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman MBE, Shefi i Shtabit të Britanisë së Madhe, Chief Marshall Sir Stuart Peach, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.
Në pronononcimin e Tij për mediat e pranishme, Presidenti i Republikës u shpreh për rolin historik që ka Britania për sigurinë Europiane.
“Roli i Britanisë së Madhe ka qenë historikisht mjaft i rëndësishëm dhe padyshim që angazhimi i saj edhe për të ardhmen është i rëndësishëm për sigurinë e Evropës, të gjithë hapësirës atlantike, por edhe për të përballuar gjithë së bashku me sukses sfidat globale. Aleanca jonë me Britaninë e madhe është e hershme. Të mos harrojmë që në Luftën e Dytë Botërore, 53 ushtarë dhe oficer britanik dhanë jetën duke luftuar për lirinë e popullit shqiptar, por edhe për lirinë e Evropës nga nazi-fashizmi. Dhe natyrisht që kjo aleancë është ripërtërirë sot në kuadër të aleancës më të madhe të lirisë dhe paqes në botë që është e NATO-s”.
Më tej Presidenti Meta ka shprehur bindjen e tij se Britania do të vazhdoj të japë kontributin e saj për modernizimin dhe për rritjen e kapaciteteve të forcave tona të armatosura.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.