Vaksina e përshtatur ndaj Omicron – EMA: Mund të miratohet brenda 3-4 muajve. Por ekzistueset, ofrojnë mbrojtje
Rregullatori i barnave në BE, bëri të ditur se mund të miratojë vaksinat e përshtatura ndaj variantit Omicron të koronavirusit brenda 3-4 muajve nëse do të duhet, por shtoi se vaksinat ekzistuese vazhdojnë të ofrojnë mbrojtjte. Gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian, shefja ekzekutive e Agjencisë Europiane të Barnave, Emer Cooke, tha se nuk është ende e ditur nëse kompanitë do të duhet të ndryshojnë vaksinat për të mbrojtur ndaj Omicron, por agjencia është e përgatitur gjithësesi.
“Mund të jemi në një pozitë, ku nëse do të ketë nevojë të ndryshohen vaksinat ekzistuese, ne mund t’i kemi të miratuara në 3-4 muaj, nga koha kur do të nisë ndryshimi i tyre. Megjithatë duhet marrë një vendim nëse kjo është e nevojshme, u shpreh Emer Cooke, Ekzekutive e EMA.
Ekzekutivja e Agjencisë, tha se është shumë e rëndësishme që të bëhet e ditur se Europa është e përgatitur. Ekzekutivi i Moderna alarmoi tregjet financiarë duke thënë se vaksinat ekzistuese nuk ka gjasa të jenë efektive ndaj Omicron, ashtu se ç’janë me Delta. Cooke risiguroi se me të dhënat e deri më tanishme, vaksinat ekzisutesev vazhdojnë të mbrojnë ndaj koronavirusit.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të japim mesazhin se vaksinat aktuale ofrojnë mbrotjte dhe duhet të sigurojmë se ata që janë të përshtatshëm për dozat nxitëse, t’i marrin ato. Në të njëjtën kohë, na duhet të përgatitemi nëse na duhet të ndryshojmë vaksinat ekzistuese dhe kjo është një punë që kompanitë kanë rënë dakord ta bëjnë”, shtoi Cooke.
Në muajin Shkurt, Agjencia europiane publikoi udhëzime të reja për të përshpejtuar procesin e miratimit për kompanitë që modifikojnë vaksiante Covid-19, për të mbrojtur nga variantet e reja. Omicron ka disa mutacione kryesore të ngjashme me variantet e mëparshme Beta dhe Gama, që i bënte më pak të cënuara nga vaksinat. Përveç këtyre, Omicron ka 26 mutacione unike, me shumë prej tyre në rajone që shënjestrohen nga antitrupat e vaksinave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.