Vaksina eksperimentale e Sanofi/GSK – Rezultate pozitive në fazën fillestare
Një vaksinë eksperimentale e Covid-19 që po zhvillohet nga Sanofi dhe GlaxoSmithKline, ka treguar reagim të fortë imunitar në fazat fillestare të provave klinike, duke mundësuar nisjen e studimeve të fazës së fundit, sipas kompanisë franceze. Sanofi dhe britanikja GSK, deklaruan se prova e fazës së 3-të botërore do të nisë në javët e ardhshme, me 35,000 të rritur, duke synuar një miratim për vaksinën nga tremujori i katërt. “Rezultatet e fazës së 2 treguan një normë të serokonversionit në 95-100%, pas një injeksioni të dytë, tek të gjithë grupmoshat, me normë të lartë të tolerancës dhe pa probleme të sigurisë”- deklaroi Sanofi. Vaksina e dy kompanive përdor të njëjtën teknologji si një nga vaksinat e gripit stinor të Sanofi. Injeksioni do bashkohet me një substancë nxitëse (adjuvant), të prodhuar nga GSM. Ky lajmërim vjen si një shenjë lehtësimi për kompanitë, pasi u detyruan në Dhjetor të vitit të kaluar të rinisin provat dhe vonojnë nxjerrjen në treg, pasi vaksina nxiti reagim të ulët imunitar tek të rriturit, si pasojë e formulimit të dobët të antigjenit. Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se vaksina të bazuara në proteina, si ajo e zhvilluar nga Sanofi dhe GSK, ofrojnë potencial, duke dhënë një shenjë pozitive për kompanitë, ndërkohë që Evropa zhvillon strategjinë e blerjes së vaksinave për 2 vitet e ardhshme.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.