Vaksina kineze në “sprint” – Sinovac siguron 515 milionë dollarë për dyfishim dozash
Sinovac Biotech i Kinës ka siguruar një fond 515 milionë dollarë nga një firmë lokale për të dyfishuar kapacitetin e prodhimit të vaksinës së saj COVID – 19.
Marrëveshja e investimit vjen në një kohë që Sinovac ka zgjeruar marrëveshjet e furnizimit dhe provat e vaksinës së saj eksperimentale “CoronaVac” kanë rezultuar pozitivisht në më shumë vende, nga provat klinike.
Sinovac tha në një deklaratë se do të ishte në gjendje të prodhonte 300 milionë doza vaksinash çdo vit dhe se synon të përfundojë ndërtimin e një strukture të dytë prodhimi deri në fund të vitit 2020, për të rritur kapacitetin vjetor të prodhimit të vaksinave COVID-19 në plot 600 milionë doza.
Në varësi të kushteve të tregut dhe disponueshmërisë së financimit, kompania mund të kërkojë të zgjerojë edhe më tej kapacitetin e saj të prodhimit, sipas Sinovac.
Sinovac ka siguruar marrëveshje furnizimi të CoronaVac me disa vende, duke përfshirë Indonezinë, Turqinë, Brazilin dhe Kilin, si dhe po zhvillon bisedime me Filipinën, për një marrëveshje të mundshme.
Burimi origjinal: Reuters
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.