Vaksina kundër Koronavrusit – CEPI bën thirrje: Nevojiten 2 miliardë dollarë!
Koalicioni global i krijuar për të luftuar sëmundjet epidemike lëshoi një thirrje të Premten për 2 miliardë dollarë për të mbështetur zhvillimin e një vaksine kundër Koronavirusit të ri që po shkakton infeksione COVID-19 në të gjithë botën.
Duke e përshkruar shpërthimin si një “kërcënim të paparë në aspektin e ndikimit të tij global”, Koalicioni për Inovacione të Përgatitjes Epidemike (CEPI) tha që ndërsa masat e kontrollit do të ndihmonin në ngadalësimin e përhapjes, vaksina do të ishte e rëndësishme për kontrollin afatgjatë.
“Është gjithnjë e më e qartë se masat e kontrollit për COVID-19 mund të ngadalësojnë përhapjen e tij dhe virusi tani po hyn në një fazën e një kërcënimi të pashembullt për sa i përket ndikimit të tij global,” tha shefi ekzekutiv i CEPI, Richard Hatchett. “Është kritike që ne të investojmë në zhvillimin e një vaksine që do t’i parandalojë njerëzit të sëmuren.”
CEPI njoftoi disa javë para fillimit të shpërthimit se do të investojë 100 milion dollarë në një program fillestar të zhvillimit të vaksinave me qëllim që të ketë kandidatë të mundshëm për vaksina në provat klinike të fazës së hershme për më pak 16 javë.
Por të Premten CEPI bëri me dije që këto fonde do të ndaheshin plotësisht deri në fund të marsit. “Pa kontribute të menjëhershme financiare, programet e vaksinave që kemi filluar nuk do të jenë në gjendje të përparojnë dhe në fund të fundit nuk do të dorëzojnë vaksinat që i duhen botës”, tha Hatchett.
CEPI lançoi në vitin 2017 me financim fillestar prej 460 milion dollarësh nga qeveritë e Gjermanisë, Japonisë dhe Norvegjisë, Fondacioni Bill & Melinda Gates dhe bamirësia globale e shëndetit Wellcome Trust. Qëllimi i tij ishte të shpejtonte procesin e zhvillimit të vaksinave kundër sëmundjeve të reja dhe të panjohura.
Qeveria britanike njoftoi të Premten një tjetër fond prej 26 milion dollarësh, përtej 30 milion fondeve që i kishte dhënë më parë CEPI, dhe u bëri thirrje donatorëve të tjerë të bashkohen me përpjekjet për të gjetur një vaksinë. Numri i infeksioneve të Koronavirusit në të gjithë botën tejkaloi 100 mijë të Premten. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.