Vaksina ruse, por pa ndërhyrjen e Rusisë. Kryeministri Rama zbulon ‘surprizën’, ministrja Manastirliu: “Hap përpara drejt fitores”
Në aeroportin “Nën Tereza” kanë mbërritur 10 mijë doza të vaksinës Sputnik. Kryeministri Rama nëpërmjet kanalit të tij zyrtar në Facebook ka bërë me dije se këto vaksina janë dhuratë e çmuar nga Emiratet e Bashkuara nga Princi i Kurorës Muhammed Bin Zayed.
Në aeroporti ishin ministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu. Kjo e fundit ka theksuar se Sputnik ka të gjithë sigurinë e nevojshme dhe se këto doza janë një hap përpara për të lehtësuar vendin në verën e ardhshme:
“Tashmë kemi më shumë vaksina disponibël që të vazhdojmë procesin jo vetëm me mësuesit, por edhe me të moshuarit.
Është një hap përpara drejt kilometrit të fundit drejt fitores dhe do vijojmë që të sigurojmë akoma më shumë vaksina dhe të mundemi të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës si dhe të përgatitemi për një verë ëm të lehtësuar, duke krijuar kushte sa më të favorshme për zhvillimin e sigurtë të turizmit.
Komiteti i Imunizimit dhe strukturat që merren me sigurinë, certifikimin dhe efektivitetin e vaksinave tashmë e kanë dhënë prej disa javës të gjithë garancinë për vaksinat për të cilat kemi prova të mjaftueshme të dhënash që janë efektive. ”
Edhe pse vaksina tashmë është bërë një mjet gjeopolitik dhe ka krijuar debate të shumta në garën e madhe të diplomacisë nëpër botë, këto doza të Sputnik duket se kanë ardhur si një marrëveshje midis dy shteteve mike pa ndërhyrjen Rusisë.
Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp përpara disa muajve, duke komentuar deklaratën e ambasadorit rus në Shqipëri që vetëofrohej për negociata me shtetin tonë për dërgesat e Sputnik, e refuzoi në mënyrë kategorike si një kërkesë qesharake.
Sputnik, vaksina ruse ndër të parat e krijuara në botë, vlerësohet nga shumë agjenci botërore të mjekësisë si efektive në luftën ndaj Covid-19 dhe Gjermania është një nga vendet europiane që ka kërkuar me ngulm nga EMA për të miratuar përdorimin e saj në kontinent.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.