Vaksinimi i fëmijëve 5-11 vjeç në SHBA – Shtëpia e Bardhë: 15 mln doza do të nisin të administrohen javën e ardhshme
Shtetet e Bashkuara do prezantojnë vaksinën e Pfizer/BioNTech për fëmijët në moshë 5-11 vjeç këtë javë, por shumica e 15 milionë dozave që do dërgohen fillimisht, nuk ka gjasa të disponohen përpara javës së ardhshme, sipas Shtëpisë së Bardhë. Miliona doza të krijuara veçanërisht për fëmijët e asaj grupmoshe do të mbërrijnë në qendrat e shpërndarjes në ditët e ardhshme, sipas koordinatorit të pandemisë tek Shtëpia e Bardhë, Jeff Zients, që shtoi se qeveria federale ka blerë mjaftueshëm doza për të gjithë 28 milionë fëmijët e përshtatshëm për vaksinim.
“Jemi gati të ekzekutojmë dhe duke nisur nga java e dytë e Nëntorit, programi për vaksinimin e fëmijëve në moshë 5 – 11 vjeç do të jetë në kapacitet të plotë”- tha Zients. Administrata e Barnave dhe Ushqimeve në SHBA autorizoi ditën e Premte vaksinën e Pfizer/BioNTech për fëmijët në moshë 5-11 vjeç, duke e bërë të parën në SHBA.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve duhet ende të këshillojë se si duhet të administrohet vaksina, ç’ka do të vendoset pasi një grup i këshilluesve të jashtëm të diskutojnë planin. Pas vendimit të CDC, prindërit do të mund të vizitojnë faqen vaçines.gov dhe të filtrojnë vendndodhjet që ofrojnë vaksinat për fëmijët, sipas Zients. “I gjithë plani është bazuar tek vaksinat e Pfizer” –tha ai.
Në fund të javës së kaluar, numri mesatar 7-ditor i rasteve me koronavirus ra me 3% në rreth 69,000 raste në ditë, ndërsa mesatarja e shtrimeve në spitale ra me 10% në 5,100 raste.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.