“Vaksinimi i shpejtë do ndalojë mutacionet” – Fauci: Nuk duhet t’i japim kohë virusit që t’i përgjigjet presioneve
Drejtori i Institutit të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, tha se vaksinimi në masë do të ndalojë koronavirusin së pësuari mutacion. Autoritetet e shëndetësisë në vend kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit pavarësisht mungesës së dozave.
‘Duhet të vaksinoheni menjëherë sa të disponohet, sa më shpejtë të jetë e mundur në të gjithë vendin. Arsyeja për këtë është se, viruset nuk mund të pësojnë mutacion nëse nuk replikohen. Nëse ndalohet replikimi nëpërmjet vaksinave dhe duke mos i dhënë virusit mundësi që t’i përgjigjet presioneve të jashtme, atëherë nuk do ketë mutacione’, u shpreh Fauci.
Mutacionet e koronavirusit po shqetësojnë autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën për shkak se të dhënat klinike të 2 vaksinave të Covid-19 tregojnë se vaksinat e disponueshme deri më tani, mund të mos mbrojnë mirë ndaj çdo varianti. Shkencëtarët kanë thënë se ekzistojnë tashmë disa variante në qarkullim, përfshirë në Brazil, Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, variante që janë rezistente ndaj antitrupave të nxitura nga vaksina.
Megjithatë, ekspertët thonë se të 4 vaksinat e miratuara kanë vlerë të madhe në aftësinë për të parandaluar ashpërsinë e Covid-19. Deri në nisje të kësaj Jave, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, deklaroi se ka administruar 32,222,402 doza të vaksinave të Covid-19 në vend dhe shpërndarë 49,936,450 doza.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.