“Varfëria” e sektorit privat – Raporti i BERZH, Shqipëria ka varësinë më të lartë nga SME në rajon
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim flet me shifra edhe për një fakt tjetër interesant, që e veçon Shqipërinë nga vendet e tjera të rajonit. Ekonomia shqiptare rezulton të jetë ajo ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë peshën më të madhe në ekonomi.
Siç e tregon edhe grafiku, ky sektor zë 81% të punësimit total, duke e vendosur në vend të parë në rajon.
Por, Shqipëria mban vendin e parë edhe në drejtim të vlerës së shtuar së këtij sektori mbi totalin. Kjo normë për ekonominë tonë fiksohet në 67.7%.
Ndjekësja më e afërt është ekonomia e Maqedonisë, me 66.6%. E fundit është Serbia me vetëm 53%, gjë që arsyetohet me praninë e lartë të manifakturës dhe korporatave të ndryshme në vend, jo vetëm vendase, por sidomos të huaja.
Pra, ndarja e tortës së ekonomisë, sipas vlerës së shtuar, në favor të ndjeshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk është aspak pozitive për një ekonomi, pasi tregon mungesën e sektorit të prodhimit dhe një sektor privat primitiv, pra ku mbizotërojnë bizneset familjare, si dyqane apo bar-kafe. Pjesa dërrmuese e tyre janë krijuar ndër vite, pasi janë parë nga popullsia si mënyra e vetme për të gjeneruar të ardhura.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.