Varianti Delta kundër vaksinave / Studimi: Tejet infektues tek njerëzit që janë vaksinuar me 1 apo 2 doza
Studimet e Institutit të Shkencave Mjekësore në Indi, treguan se varianti Delta i koronavirusit mund të infektojë njerëzit edhe pasi janë injektuar me një apo dy doza të vaksinave. I zbuluar për herë të parë në Indi, më Tetor 2020, varianti Delta është përhapur edhe në Tajland, ku ka infektuar 11 rrethe, sipas autoriteteve. Raporti i institutit tregoi se varianti Delta është vëzhguar tek shumica e pacientëve që ishin vaksinuar përpara infeksionit. Hulumtuesit analizuan mostra të virusit të marrë nga 36 pacientë me Covid, që ishin infektuar pasi morën vaksinën dhe zbuluan se 23 prej tyre ishin me variantin Delta, çka përbën 64% të pacientëve të testuar. Prej 36 pacientëve 19 kishin marrë 1 dozë dhe 17 të tjerët kishin marrë regjimin e plotë me 2. Për rrjedhojë, hulumtuesit arritën në përfundim se varianti vazhdon të jetë tejet infektues tek njerëzit që janë vaksinuar. Studimi përfshiu një total prej 63 pacientësh të infektuar pas vaksinimit, ku sipas raportit, 10 kishin marrë vaksinën e AstraZeneca të prodhuar në Indi dhe 53 ishin vaksinuar me indianen Covaxi. Mesatarja e moshës ishte 37, përfshirë 41 meshkuj dhe 22 femra. Megjithatë, sipas hulumtuesve nuk ka pasur asnjë vdekje, çka tregon se vaksinat ishin efektive në reduktimin e normës së vdekjeve. Shumica e personave kishin pasur temperaturë të lartë për 5-7 ditë, por pa simptoma të tjera.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.