Vazhdojnë protestat në Iran – Rouhani: Kërkesat e njerëzve nuk janë vetëm ekonomike
Për të pestën ditë me radhë, protestuesit nuk janë ndalur në Iran dhe kanë pritur datën 1 janar në protestë.
Demonstruesit duket se nuk i ka ndalur as dhuna e ditës së mëparshme, ku u raportua për të paktën 13 viktima si pasojë e ndërhyrjes policore.
Kjo është vala më e rëndë e protestave në vend që prej vitit 2009, kur protestuesit u derdhën nëpër sheshe për të kundërshtuar rikandidimin e presidentit të atëhershëm Mahmoud Ahmadinejad.
Regjimi i sotëm në Iran ndërkohë duket se është vënë nën presion të madh nga këto protesta që duket se nuk kanë ndërmend të ndalen.
Pas dekadash me radhë, që prej 1979, kohën e revolucionit islamik, Irani ka vuajtur vazhdimisht presionin e jashtëm, ndërkohë që tani problem më i madh është ai i brendshëm. ”
Problemet e tyre nuk janë vetëm ekonomike, pasi njerëzit nuk kanë zbritur nëpër rrugë për të kërkuar para, bukë, apo ujë.
Ata kanë kërkesa të ndryshme dhe pretendojnë gjëra të tjera”, deklaroi presidenti i vendin, Hassan Rouhani në një transmetim nga televizionin shtetëror.
Gjithsesi, duhet theksuar fakti se, vendi prej kohësh është në probleme ekonomike, pasi vitin e kaluar raportohet për një papunësi te të rinjtë në 28.8%.
Nga ana tjetër, vendi është futur në një garë të ethshme me rivalët sauditë për influencë në rajon duke u përfshirë në konfliktet në Siri dhe Irak.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.