Vdekjet nga aksidentet rrugore – Plani i Suedisë për t’i zeruar
Në vitin 2015, mbi 1 milionë njerëz humbën jetën në aksidente rrugore në të gjithë botën, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Aksidentet rrugore mbeten shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15 dhe 29 vjeç.
Por, ndërsa disa vende kanë përdorur reklamat për sigurinë publike duke u përqendruar te kufiri i shpejtësisë, vendosja e rripit të sigurimit, mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjeti, Suedia ka shkuar një hap më tej.
Tolerancë zero
Në vitin 1997, Suedia prezantoi politikat e skemës ‘Vizioni Zero’ që synonin të ulnin numrin e viktimave të aksidenteve rrugore në zero deri në vitin 2020. Zvogëlimi i rrezikut kërkon ndryshime fizike në rrugë dhe politika të reja për të zbatuar ligjet e trafikut.
Tani ka më shumë rrethrrotullime, më pak kryqëzime dhe automjetet nuk mund të kthehen aty ku kalojnë njerëzit. Janë ndërtuar më shumë ura për këmbësorë dhe policimi i rreptë ka zvogëluar numrin e shkeljeve për shkak të alkoolit.
Që nga fillimi i skemës, vdekjet në rrugë pothuajse janë përgjysmuar. 270 persona vdiqën në aksidentet rrugore në Suedi në 2016. Ndërkohë, 20 vjet më parë kjo shifër shkonte në 541.
Një shembull global
Ndërsa përparimi i Suedisë duket dramatik, ajo ka luftuar për të përmbushur qëllimin e saj. Ndërkohë, është shtyrë periudha e synuar për zero vdekje nga aksidentet automobilistike nga 2020 deri në vitin 2050.
Pavarësisht kësaj, shembulli suedez është mbajtur si model nga shumë qeveri dhe shtete. Kanadaja, Norvegjia, shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe disa vende të Bashkimit Europian kanë eksperimentuar me variacionet e skemës ‘Vizioni Zero.’
Shumë ekspertë pohojnë se Europa ka vendosur teste më rigoroze për shoferët e rinj. Rreth 25 300 njerëz humbën jetën në aksidente rrugore në shtetet anëtare të BE-së në 2017, por kjo ishte pothuajse 15 000 më pak se në SHBA.
Mund të kushtojë më shumë se 1 800 dollarë për të marrë patentën në Suedi dhe akoma më shtrenjtë në vende të tjera të Europës. Ndërkohë, e kundërta ndodh në Amerikë, ku shumë prej tyre po marrin lejen e drejtimit të mjetit pa pasur nevojë për ndjekjen e një kursi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.