Vdekjet nga Covid kalojnë gjysmë milion. Vdesin 4,700 në ditë. Mesatarja mujore kalon AIDS dhe malarjen
Numri i vdekjeve nga Covid-19 ka kaluar gjysmë milionë njerëz në 24 orët e fundit, ndërkohë që pandemia po tregon rritje në disa vende pavarësisht se rajone të tjera përballen ende me valën e parë. Sëmundja e frymëmarrjes e shkaktuar nga koronavirusi i ri, ka qenë e rrezikshme veçanërisht për të moshuarit, pavarësisht se tek totali i vdekjeve prej 501,000 përfshin edhe të rritur e fëmijë. Numri i raportuar i rasteve në të gjithë botën qëndron në 10.3 milionë deri më tani.
Pavarësisht se norma e vdekshmërisë është ngadalësuar në javët e fundit, ekspertët kanë shprehur shqetësime mbi numrin rekord të rasteve të reja në vende si Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili, si dhe përhapje të reja të infeksionit në pjesë të Azisë. Më shumë se 4,700 njerëz po vdesin nga sëmundje të lidhura me Covid-19 çdo 24 orë, sipas llogaritjeve mbi mesataren nga 1 deri në 27 Qershor. Kjo përkthehet në 196 persona në orë, apo 1 person çdo 18 sekonda.
Thuajse 1/3 e të gjithë vdekjeve janë regjistruar deri më tani në SHBA. Rritja e fundit e rasteve ka qenë më e theksuar në disa shtete Jugore dhe Perëndimore, që janë rihapur më agresivisht. Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara raportuan rreth 44,700 raste të reja dhe 508 vdekje vetëm ditën e diel. Rastet e reja po rriten shpejtë edhe në Amerikën Latine, që kaloi numrin e të diagnostikuarve në Europë ditën e diel, dukë u bërë rajoni i dytë më i goditur nga pandemia, pas Amerikës së Veriut. Australia raporti numrin më të madh të infeksioneve ditore në 2 muaj dhe po konsideron rivendosjen e masave të distancimit social.
Vdekja e parë e regjistruar nga virusi ndodhi më 9 Janar, një 61 vjeçar nga Vuhani që blinte rregullisht në një treg ushqimor që u identifikua si burimi i infeksionit. Në vetëm 5 muaj, Covid-19 ka kaluar vdekjet vjetore të malarias, një nga sëmundjet infektive më vdekjeprurëse. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, norma mesatare e vdekjeve në 78,000 në muaj, ka kaluar vdekjet e lidhura me AIDS në 64,000 dhe malaria në 36,000.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.