Veliaj: Në shkurt rinis programi i kredive të buta
Gjatë drekës së sotme në familjen Kaci, e cila është dhe përfituese e kredisë së butë, Veliaj dha lajmin se e mirë se në shkurt, Bashkia e Tiranës do të rifillojë programin e kredisë së butë për vitin 2018 dhe të gjitha çiftet e reja mund të aplikojnë sërish për të qenë pjesë përfituese e tij.
Veliaj tha se programi për kreditë e buta për strehim tregoi se Bashkia e Tiranës funksionon më mirë sesa operatorët privatë, duke i ardhur në ndihmë jo pak, por 1 mijë familjeve të reja dhe në nevojë, që nuk kishin mundësi të përballonin interesat e tregut për të blerë shtëpinë e tyre.
“Më vjen mirë që bashkia po funksionon më mirë se privati, për shumë projekte na thonë se shteti po punon më mirë se privati. Privati mund të marrë më shumë kohë, më shumë burokraci”, tha Veliaj.
Projekti “Subvencionimi i interesave të kredisë”, është një projekt i cili zbatohet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës dhe ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg.
Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.
Vitin e kaluar nga ky projekt u miratuan 1000 familje përfituese të kredisë, fond i cili mbulohet nga Bashkia Tiranë.
Ky program do të përsëritet sërish duke filluar nga muaji shkurt 2018, për t’i ardhur në ndihmë atyre familjeve që nuk arritën të kapin afatet për plotësimin e dokumentacionit gjatë thirrjes së parë.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.