Veliaj takim me operatorët e transportit publik – Diskutohet rimbursimi i TVSH-së / Paralajmëron dhe heqje licence
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka mbajtur një bashkëbisedim me operatorët e transportit publik ku është diskutuar për përmirësimin dhe modernizimin e shërbimit për qytetarët. Veliaj u shpreh se ka diskutuar me kryeministrin dhe pritet të merret një vendim që ka të bëjë me kërkesat e tyre.
“Një prej tyre që jemi duke konsideruar seriozisht është heqja e TVSH-së për gjithë sektorin tuaj, ministrja e transportit pati një takim me Operatorët Ndërqytetës ndërkohë që gjithë bashkitë do të bëjnë takime me operatorët qytetas, kështu që ne po përgatitemi tani që kanë filluar diskutimet për buxhetin për heqjen e TVSH-së, por ajo që ne do të bëjmë është rimbursim TVSh-je jo heqje, do të bëjmë rimbursim akcize jo heqje akcize për disa arsye pasi ajo që na ka ndodhur më përparë tregon që lë vend për abuzime”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë paralajmëroi operatorët se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet licenca duke përmendur linjën e Kopshtit Zoologjik.
“Linja e Kopshtit Zoologjik nxjerr nga marmita kancer e kjo s’ka lidhje fare me Covidin, kjo ka të bëjë me mjete të amortizuara, që janë skandal. Ju kam lënë afat deri në datën 30 tetor. Keni dhe 5 ditë kohë; ose ndryshe do humbisni licencën, siç e humbi “Ferluti”. Të mbjellësh pemë te liqeni, të bësh korsi biçikletash, ta bësh liqenin vendin më të vizituar dhe ta rrethosh përveç pyllit orbital me blozë orbitale kjo është e pa tolerueshme. Ata autobusë prodhojnë kancer, dhe minimalisht për dinjitetin e fëmijëve tanë, ju s’duhet t’i nxirrni më ata autobusë”, theksoi Veliaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.