Veliu takim me Drejtoren e SELEC – Maleeva: Rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit pozitive
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka pritur sot Drejtoren e Përgjithshme të Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore (SELEC), me qendër në Rumani.
Forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve për një luftë efektive kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar kryesisht ishin edhe fokusi i diskutimit mes palëve. Maleeva tha se rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit kanë qenë pozitive dhe shprehu më tej mbështetjen e plotë të SELEC.
“Të jeni të bindur që SELEC ju jep mbështetje të plotë, maksimale. Deri tani, ne kemi pasur rezultate shumë të mira. Jam e bindur që edhe në të ardhmen, sërish ju do të keni rezultate pozitive, me punën e devotshme dhe suportin tonë.”
Ndërkohë, Veliu, shprehu vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me të gjitha organizatat dhe policitë partnere, në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, nëpërmjet rritjes së koordinimit ndërinstitucional, zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve hetimore, shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare, është dhe mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, një nga objektivat e saj më strategjikë.”
Drejtorja e SELEC-ut i dorëzoi Policisë së Shtetit dy Certifikata Nderi, për finalizimin e dy operacioneve “Koordinimi” dhe “Alias”, të vlerësuara si më të mirat gjatë 2017-ës, për vendet e Europës Juglindore, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.