Vendimet në parlament / Shkarkohet Arben Malaj, zgjatet periudha e emergjencës dhe ngrihet Ministria e Rindërtimit
Parlamenti i Shqipërisë ka marrë sot disa vendime, të cilat ishin në rend dite.
Kështu, Arben Malaj u shkarkua si anëtar i Bordit Mbikëqyrës me 72 vota pro dhe 10 kundër. Me 5 Dhjetor, Këshilli i Ministrave vendosi të pezullojë Arben Malajn nga detyra anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke argumentuar se gjatë vitit 2018 deri në korrik 2019, ai kishte bërë deklarata politike që nuk i shërbejnë publikut, dhe në kundërshtim me kompetencat e postit të tij publik.Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Malaj tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen për shkarkimin e tij.
Kuvendi miratoi sot me 95 vota pro për të bërë të mundur rimëkëmbjen e banesave që u dëmtuan nga tërmeti. Ndërkohë që 5 deputetë nuk votuan. Nga ana tjetër me 97 vota pro u miratua emërimi i Arben Ahmetajt si Ministër i Rindërtimit. Ndërsa u vendos zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë deri në fund të muajit Mars, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, e cila u vendos me 92 vota pro.
Ministria e Rindërtimit tashmë do të koordinojë punën e të gjithë mekanizmave të angazhuara për rimëkëmbjen e ndërtesave që u shembën pas tërmetit. Veç fondeve të shtetit, donacioneve të OJF-ve, një mbështetje e madhe ka ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar.
Gjithashtu u miratua buxheti i shtetit për vitin 2020, për të cilin ministrja Denaj u shpreh se mund të quhet buxheti i rimëkëmbjes dhe vazhdimësisë:
“Jemi angazhuar për miratimin e kuadrit për të minimizuar dëmet e tërmetit dhe për të rimëkëmbur vendin pas kësaj situate. Të vijojmë me projektet e parashikuara më para se të ndodhte tërmeti. Angazhimi i ynë për integrimin e në BE mbetet i pandryshueshëm. I rimëkëmbjes dhe vazhdimësisë kështu mund të quhet ky buxhet.”
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.