Vendimi/‘Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale’ ndryshon emërtim – Struktura e saj miratohet nga kryeministri
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për disa ndryshime në vendimin “Krijimin dhe funksionimin e Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale.” Sipas vendimit, kjo agjenci do të zëvendësohet me emërtimin “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”.
Bazuar te vendimi, emërtimi “Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore” zëvendësohet me fjalët ‘ministri përgjegjës për çështjet vendore.’
Kjo agjenci ka disa detyra kryesore të tilla si të mbështesë ministrin përgjegjës për çështjet vendore në koordinimin për zbatimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimin dhe qeverisjes vendore dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore. Po ashtu, kjo agjenci informon në mënyrë periodike institucionet publike, grupet e interesit si dhe qytetarët lidhur me çështjet e qeverisjes vendore.
Përgjegjësi të tjera të agjencisë përfshijnë:
- “Bashkëpunon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për propozimin dhe përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, 2015-2020;
- Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore për krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
- Siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore e vendore, dhe harton raporte, analiza periodike mbi këto çështje;
- Ofron këshillim ligjor dhe teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e ushtrimit të funksioneve të tyre;
- Shërben si qendër e evidentimit dhe promovimit të praktikave më të mira dhe/ose modeleve rekomanduese për çështjet e vetëqeverisjes vendore;
- Bashkërendon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare;
- Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore (në rolin e një sekretariati teknik) në koordinimin e punës me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;
- Raporton periodikisht pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore mbi veprimtarinë e saj dhe për realizimin e detyrave e të përgjegjësive të përcaktuara në këtë vendim.”
Sipas vendimit, kryeministri miraton organigramën dhe strukturën e Agjencisë, bazuar në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Ndërkohë, sa i përket Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet vendore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.