Vendimi i gjykatëses godet App Store – Apple nuk do të detyrojë më kompanitë për blerjet brenda aplikacionit
Biznesi fitimprurës App Store i Apple, ka pësuar një goditje të madhe, falë vendimit të një gjykatëse federale në betejën ligjore të kompanisë me Epic Games. Gjykatësja Yvonne Gonzales Rogers, mori vendimin dhe lëshoi një urdhër që thekson se Apple nuk do lejohet më të ndalojë zhvilluesit e aplikacioneve që t’i drejtojnë përdoruesit larg Apple për të bërë blerje.
Apple zakonisht merr 15-30% nga shitjet bruto. Urdhëri i gjykatëses trajton një ankesë të vjetër të zhvilluesve të aplikacioneve dhe krijon mundësinë që ato të drejtojnë përdoruesit tek faqet e veta për t’u nënshkruar apo për të blerë përmbajtje dixhitale, duke goditur shitjet e App Store, që gjeneruan 64 miliardë dollarë në vitin 2020. Vendimi përfundon pjesën e parë të betejës mes 2 kompanive mbi politikat e App Store dhe nëse ato pengojnë konkurrencën. Apple fitoi në 9 nga 10 akuza, por u zbulua së është përfshirë në sjellje antikonkurruese nën ligjin e Kalifornisë dhe do detyrohet të ndryshojë politikat e App Store.
Urdhëri do bëhet efektiv në Dhjetor. Megjithatë, gjykatësja Rogers shtoi se Apple nuk është një monopol dhe se suksesi nuk është i jashtëligjshëm. Gjyqi u zhvillua në Oakland, Kaliforni në Maj dhe përfshiu ekzekutivët e të dy kompanive që dëshmuan në sallë.
“Jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës dhe e konsiderojmë si fitore për Apple”– tha këshilltarja e përgjithshme e Apple, Kate Adams. Sipas burimeve, Epic Games do ta apelojë vendimin. Ekzekutivi i Epic Games, Tim Sweeney kritikoi vendimin në një deklaratë në Twitter. “Vendimi i sotëm nuk është një fitore për konsumatorët. Epic po lufton për konkurrencë të drejtë në metodat e pagesave brenda aplikaioneve dhe dyqanit të aplikacioneve për miliarda konsumatorë”- shkroi ai.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.