Vendimi/ Krijohet Agjencia e Shpronësimeve. Negocion me palët për vlerën dhe kushtet e pagesës. Asistencë edhe për bashkitë
Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e Agjencisë së Shpronësimeve, si një institucion ku do të përqendrohen të gjitha kompetencat që kanë të bëjnë me pronat që preken nga zbatimi i projekteve infrastrukturore, procedurë që më parë ishte nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Me krijimin e Agjencisë, palët do të ulen në negociata për vlerën e shpronësimit dhe kushtet e pagesës që mund të jenë me këste apo me interes.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në prezantimin e projektligjit ka shpjeguar se ky institucion vjen si domosdoshmëri për shkak të problemeve të hasura ndër vite, ndërkohë që vetëm aktualisht janë 400 çështje gjyqësore të hapura nga pronarët, çka sjellin edhe zvarritjen e zbatimit të punimeve.
Institucioni vlen edhe për shpronësimet që do të kryhen nga ana e bashkive, duke përcaktuar se Agjencia do të japë gjithë asistencën e nevojshme për njësitë vendore dhe gjithashtu mund të vihet në lëvizje edhe me kërkesë të subjekteve private.
ASHSH-ja do të financohet nga buxheti i shtetit. Në vendim saktësohet se edhe kursimet nga prokurimet publike të projekteve të investimeve në njësitë e qeverisjes qendrore, gjatë zbatimit të buxhetit vjetor, nuk do të përdoren nga vetë njësitë, por do rialokohen në programin buxhetor për shpronësimet
Sa i përket Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni ai do të emërohet dhe lirohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave. Ai zgjidhet nga radhët e profesionistëve të fushave të inxhinierisë, të gjeodezisë, të drejtësisë, të ekonomisë ose të administrimit publik, me eksperiencë pune të paktën 3 vjet në organet e administratës shtetërore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.