Vendimi/ Krijohet Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor – Do të funksionojë në të gjithë vendin
Qeveria miratuar vendimin për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Qëllimi kryesor i krijimit të këtij operatori është ofrimi i shërbimit të kujdesit parësore e spitalor në përputhje me nevojat dhe kërkesat, duke përdorur në mënyrë sa më efektive burimet njerëzore e financiare.
Ai do të ushtrojë veprimtarinë e tij në të gjithë vendin në fushën e kujdesit shëndetësor parësor si dhe shërbimin spitalor në nivel rajonal e bashkiak. Kjo do të bëhet e mundur përmes Drejtorisë Qendrore si dhe drejtorive rajonale, të cilat krijohen kur mbulojnë jo më pak se 4 000 punonjës.
Sa i takon strukturës dhe organikës së operatorit në nivel qendror dhe të drejtorive rajonale, miratohen nga Kryeministri, ndërsa ato në njësitë vendore do të miratohen nga ministri përgjegjës.
Me krijimin e Operatorit, shfuqizohet vendimi i Këshillit të Ministrave për “Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës”. Po ashtu, numri i punonjësve, asetet dhe fondet e miratuara për drejtoritë e shëndetit publik, drejtoritë rajonale të shëndetësisë, Autoritetin Shëndetësor Rajonal Tiranë, Spitalin Psikiatrik Vlorë, Spitalin Psikiatrik Elbasan riorganizohen sipas Operatorit, në nivel qendror dhe rajonal.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe deri në fillimin e funksionimit të Operatorit, strukturat aktuale do të vazhdojnë punën sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.