Vendimi/MASR jep 84 bursa për nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Shkodër
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për dhënien e 84 bursave nga Ministria e Arsimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër. Vlera vjetore e bursës do të jetë 92 820 lekë, e cila do të përdoret për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostove të teksteve shkollore për vitin shkollor 2018-2019.
Këshilli i Ministrave v e n d o s i:
- Dhënien nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi për nxënësit e viteve të para, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2018-2019.
- Vlera vjetore e bursës do të jetë 92 820 (nëntëdhjetë e dy mijë e tetëqind e njëzet) lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.
- Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në njësinë arsimore vendore Shkodër.
- Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
- Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në njësinë arsimore vendore Shkodër, e cila pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
- Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
- Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.