Vendimi/ Shkrihen Drejtoritë e Bujqësisë – Krijohen 8 agjenci të reja rajonale
Drejtoritë e Bujqësisë nuk do të jenë më funksionale prej ditës së sotme sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të cilin e ka bërë publik kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat.
Sipas tij, funksionin e tyre tashmë do ta kryejnë 4 agjenci rajonale për bujqësinë. Ndërkohë, do të krijohen edhe 4 agjenci rajonale të tjera për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve, ku sipas kryeministrit njëra prej tyre do të ketë si qendër Elbasanin.
“Kemi marrë vendimin për të finalizuar reformimin e strukturës së vjetër dhe të degraduar të drejtorive të bujqësisë. Më në fund nga sot nuk do të kemi më drejtori të bujqësisë dhe kalojmë nga 13 drejtori të bujqësie që ishin një sistem parazit, i degraduar në 4+4 agjenci rajonale. 4 Agjenci rajonale tek seksioni bujqësor dhe 4 agjenci rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve. Njëra prej këtyre agjencive të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve do të ketë si qendër Elbasanin”, tha Rama.
Sipas Ramës, përmes këtij procesi reformimi do të forcohet akoma më shumë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Duke i konsideruar këto agjenci si një vlerë të shtuar, ai shtoi më tej se qeveria është e vendosur të garantojë sigurinë ushqimore dhe gjithë zinxhirin që përbën këtë sektor.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.