Vendoset çmimi ‘tavan’ për thirrjet ndërkombëtare brenda BE
Komisioni Evropian ka njoftuar se një çmim i ri maksimal (tavan) do të zbatohet për të gjitha thirrjet ndër-kufitare dhe mesazhet SMS brenda BE-së.
Kush do të preket nga çmimi i ri?
Kontrolli i çmimit do të zbatohet për operatorët e telekomunikacionit në të 28 vendet e BE-së që nga 15 maji dhe pritet që të hyjë në fuqi në Islandë, Norvegji dhe Lichtenstein vetëm pak më vonë.
Rregullorja e re për thirrjet ndërkombëtare të BE-së, do të kapë vlerën e 19 cent për minutë pa TVSH dhe mesazhet brenda BE-së do të jenë 6 cent për minutë pa TVSH. Ky çmim tavan do të aplikohet si fillim vetëm për përdoruesit personalë dhe jo për bizneset.
Sa do të kursejnë konsumatorët?
BE thotë se ky ndryshim po bëhet me shpresën për të luftuar mospërputhjet e mëdha mes thirrjeve vendore dhe ndërkombëtare të BE-së. Aktualisht, një thirrje ndërkombëtare standarde brenda BE-së kushton 3.6 herë më shumë se thirrjet e brenda shtetit. Janë gjetur disa raste më të rralla në të cilat një thirrje ndërkombëtare e BE-së kushton edhe dhjetë herë më shumë.
Konsumatorët do të përfundojnë duke paguar pak më shumë sesa shifrat e publikuara sepse TVSH-ja varion nga 17% në 27%, që do të thotë se disa thirrje mund të kushtojnë shumë më shumë se sa përllogaritja fillestare.
BE thotë se dikush që telefonon në Belgjikë nga Italia për dy orë, në një telefon fiks, do të kursejë 78 euro. Reduktimi mesatar i çmimit për një person në Belgjikë do të jetë 332% në minutën e telefonit dhe 542% për mesazhet, thotë BEUC (Zyra e Konsumatorëve për bashkimin Europian).
A nuk e ka shkurtuar tashmë BE koston e thirrjeve ndërkombëtare?
Në mes të 2017, rregullat e BE-së e ndaluan përdorimin e tarifave të roaming brenda bllokut. Këto taksa ishin tarifat e aplikuara për përdoruesit e telefonave celularë që thirreshin jashtë vendeve të tyre të origjinës. Që nga reforma, përdorimi i një telefoni celular në çdo vend të BE është i njëjtë me përdorimin e tij në shtëpi.
Burimi: Euronews
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.