Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme – Gjykata Kushtetuese Gjermane: Nuk u shkelën të drejtat kushtetuese
Me një vendim të posaçëm pas ankimimeve, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendosi, se hyrja në fuqi e gjendjes së jashtëzakonshme për pandeminë në nivel federal nuk ishte shkelje e të drejtave kushtetuese. “Vërtet u ndërhy shumë në të drejtat bazë të njeriut, por në kohën jashtëzakonisht të rrezikshme të pandemisë kjo ishte në pajtim me ligjin themelor. Masat e kufizimit të lëvizjes dhe kufizimet e kontaktit shërbyen në tërësinë e tyre për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit si edhe ruajtjen e kapacitetit veprues të sistemit shëndetësor si një çështje tejet të rëndësishme të të mirës së përbashkët”, deklaruan gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe të martën.
Gjykata bën të qartë, se edhe tek vendimi i mbylljes së shkollave, të drejtës së fëmijëve e të rinjve për arsimin shkollor i qëndronin përballë “çështje tejet të rëndësishme të të mirës së përbashkët”. Ndalimi i mësimit me prezencë ishte “konform kushtetutës si nga ana formale dhe materiale”, deklaruan gjyqtarët.
E ashtuquajtura “frena e emergjencës” ishte një masë e qeverisë e landeve për frenimin e pandemisë dhe ishte në fuqi nga fundi i prillit deri në fund të korrikut të këtij viti. Ajo parashikonte që nga një incidencë shtatëditore prej 100 infektimesh në 100.000 banorë në shkallë federate hynin në fuqi kufizime të kontaktit si edhe një orë e ndalimit të qarkullimit natën. Nga një incidencë prej 165 infektimesh në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh në shkolla ndalej mësimi me prezencë. Shumë qytetarë gjermanë panë në këtë ligj një ndërhyrje të palejueshme në të drejtat kushtetuese të qytetarit. Edhe partia liberale, FDP, që me gjasa është anëtare e qeverisë së re, kishte ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese kundër “frenimit të emergjencës.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.