“Veneto” bëhet “Intesa” – Efektet në tregun bankar shqiptar
Grupi Intesa Sanpaolo në Itali zyrtarizoi në fillim të javës blerjen e dy bankave të rajonit të Venetos, Banka Popullore e Viçencës dhe Veneto Banka, të cilat prej dy vitesh ishin në krizë dhe ishin marrë nën kontroll nga një fond me kapital publik italian.
Ky transaksion prek edhe tregun bankar shqiptar, duke pasur parasysh se ndër asetet e blera nga Intesa Sanpaolo është filiali në Shqipëri i grupit Veneto Banka.
Tashmë, edhe Veneto Banka Shqipëri do të bëhet pjesë e grupit Intesa Sanpaolo, në pritje të miratimeve zyrtare që kërkohen nga autoritetet rregullatore, si Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Është herët për të thënë se kur mund të ndodhë bashkimi mes Intesa Sanpaolo dhe Veneto Banka në Shqipëri, megjithatë, ky do të jetë bashkimi i parë mes dy bankave në tregun bankar shqiptar, që prej vitit 2008.
Edhe në atë rast, bashkimi si rezultat i transaksioneve mes grupeve bankare italiane. Grupi Sanpaolo IMI, që pati blerë, njëra pas tjetrës, Bankën Italo-Shqiptare dhe Bankën Amerikane të Shqipërisë, u përthith nga grupi bankar Intesa, duke krijuar Bankën Intesa Sanpaolo.
Pas bashkimit mes grupeve, aksionerët vendosën që Banka Italo-Shqiptare të shkrihej me Bankën Amerikane të Shqipërisë, që më pas do të merrte emrin banka Intesa Sanpaolo Bank- Shqipëri.
Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2016 Intesa Sanpaolo zotëronte 10.86% të aseteve totale të tregut bankar në Shqipëri, ndërsa Veneto Banka rreth 1.84%. Të marra së bashku, vlera totale e aktiveve të dy bankave arrinte në 182 miliardë lekë, për një pjesë totale tregu prej 12.7%.
Bashkimi i pritshëm do ta ulë numrin total të bankave në tregun shqiptare në 15, duke e çuar tregun bankar drejt një procesi përqendrimi dhe konsolidimi, siç ka ndodhur në shumë vende të tjera të Europës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.