Verdikti i FIFA: Vetëm gjoba për shqiponjat e Shaqirit, Xhakës dhe Lichtsteniner – Në fushë kundër Kosta Rikës
FIFA ka marrë një vendim lehtësues për tifozët e Zvicrës, por edhe ata shqiptarë, duke vendosur të dënojë vetëm me gjoba tre futbollistët të cilët përdorën duart për të simbolizuar shqiponjën dykrenare gjatë fitores me Serbinë.
Në bazë të artikullit 57 të kodit disiplinor të FIFA, Xhaka dhe Shaqiri janë gjobitur me 10 mijë franga zvicerane, ndërsa Lichtsteiner me një gjobë prej 5 mijë frangash, pasi kishin shkelur parimet e fair-play.
Ndërkohë, gjoba ka qenë shumë më e lartë për federatën serbe të futbollit, e cila është dënuar me 54 mijë franga, pasi kishte thyer artikullin 67 të kodit të FIFA. Tifozët e Serbisë kishin vendosur pankarta dhe kishin kënduar kore diskriminuese gjatë ndeshjes me Zvicrën, krahas hedhjes së objekteve në fushë.
Një gjobë prej 5 mijë frangash do të paguajnë edhe presidenti i federatës serbe Slavisa Kokeza dhe trajneri Mladen Krstajic për deklaratat e tyre pas ndeshjes.
Vendimi i FIFA bën të mundur vendosjen e tre futbollistëve në dispozicion të trajnerit të Zvicrës në ndeshjen me Kosta Rikën më 27 Qershor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.