Vero, aplikacioni më i ri që po sfidon Facebook dhe Instagram
Javën e kaluar, një rrjet social i cili shënonte më pak se 150,000 shkarkime, sot shënon 3 milionë.
Nxitur nga zhgënjimi me Instagram, dhe një sërë karakteristikash, themeluesi i këtij aplikacioni thotë se ai mundëson një formë më autentike të vetëshprehjes.
Bëhet fjalë për një aplikacion pa reklama i cili lejon të ndahen foto, lidhje, rekomandime librash, filmash midis miqve. Në listën e aplikacioneve të dyqanit Apple në Angli, ka kaluar nga vendi i 99 në vendin e parë gjatë javëve të fundit, gjë që tregon se përdoruesit e mediave sociale mund të jenë duke kërkuar alternativa të reja për përdorim.
Vero u lancua për herë të parë në vitin 2015 nga Ayman Hariri, një miliarder biznesmen dhe djali i ish kryeministrit libanez Rafik Hariri. Nga një intervistë për CNBC, Hariri është shprehur se ideja e këtij aplikacioni lindi për shkak të shqetësimeve që i jepnin reklamat që shfaqeshin gjatë përdorimit të rrjeteve sociale si Facebook apo Twitter.
Duket se popullariteti i këtij të fundit u rrit pas pakënaqësisë që përdoruesit filluan të kenë me algoritmet e reja të rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram apo dhe politikat e reja që Facebook filloi të ndjekë duke i shfaqur postimet në bazë të prioriteteve dhe jo në mënyrë të rastësishme.
Por, ndërsa aplikacioni është rritur në popullaritet, kompania dhe themeluesi i saj janë nën vëzhgim. Ardhja e miliona përdoruesve të rinj mbingarkoi serverët e kompanisë, duke e bërë gjithçka të papërdorshëm për pjesën më të madhe gjatë kësaj jave.
Gjithsesi ky sukses nuk është definitiv për aplikacionin e ri dhe mbetet për t’u parë nëse rritja e përdoruesve do të vazhdojë të jetë në këto ritme.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.