Vështirësohet hyrja në Itali për shtetasit e europian!
Roma po përgatitet për t’u mbrojtur nga varianti Omikron ndaj duke nisur nga dita e enjte kanë hyrë në fuqi rregulla më të ashpra për udhëtarët nga vendet e BE-së.
Udhëtarët nga vendet e BE-së për të hyrë në Itali duke nisur nga dita e enjte do të duhet që t’u nënshtrohen rregullave më të forta anti-COVID. Të gjithë udhëtarët – edhe ata të vaksinuar – për të hyrë në Itali duhet të paraqesin një test negativ ndaj koronavirusit, komunikoi ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, i cili nënshkroi dekretin përkatës. Të pavaksinuarit pavarësisht testit do të duhet të kalojnë edhe një karantinim 5 ditor.
Deri tani për shtetasit e BE për hyrjen e në Itali mjaftonte vetëm dëshmia e vaksinimit, shërimit ose testi negativ. Rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 janar.
Në sfondin e përhapjes së variantit Omikron edhe në Itali po shtohet frika nga rritja e numrit të infeksioneve. Gjatë muajve të fundit Italia përmes aplikimit të pasaportës së gjelbër të shëndetit e ka pasur nën kontroll situatën pandemike, pothuajse kudo aksesi lejohet vetëm duke paraqitur kartën e gjelbër. Të martën në Itali u regjistruan mbi 20.000 infeksione të reja dhe 120 të vdekur nga virusi.
Ndaj aktualisht në mbarë Italinë ka hyrë në fuqi shtrirja e detyrimit për vaksinim. Personeli i shkollave, në administratë dhe në sektorin e shëndetësisë, si dhe në polici, ushtri e tek ekipet e shpëtimit duhet të imunizohet ndaj COVID-19, në mënyrë që të lejohet vazhdimi i punës. Qeveria e kryeministrit Mario Draghi në fund të nëntorit ra dakord për zgjerimin e grupeve që duhet t’i nënshtrohen vaksinimit. Deri tani detyrimi për vaksinim në Itali vlente vetëm për personelin e shërbimit shëndetësor.
Personeli i spitaleve tani duhet të marrë dozën e tretë të vaksinës. Me skadimin e certifikatës së vaksinimit pas nëntë muajsh bëhet e nevojshme edhe rifreskimi i vaksinës për ata që e kanë të detyrueshëm vaksinimin por përjashtim bëhet vetëm për njerëzit, gjendja shëndetësore e të cilëve mund të rrezikohej prej vaksinës.
Kush nuk i përmbahet detyrimit për vaksinim, duhet të llogarisë pushimin nga puna ose heqjen e pagës. Kush do të punojë si i pavaksinuar, kërcënohet me gjoba nga 600 deri në 1500 euro. Për të kontrolluar respektimin e rregullave janë përgjegjës drejtuesit e institucionit përkatës të cilët nëse nuk e kryejnë dëtyrën e tyre kërcënohen me gjoba nga 400 deri në 1000 euro. DW
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.