Vetëprodhimi i energjisë nga dielli – Si do bëhet aplikimi, 3 dokumentet e detyrueshme për t’u lidhur me rrjetin e OSHEE
Një ditë pas firmosjes nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku TV SCAN zbardh udhëzimin e plotë dhe procedurën e plotë sesi do të bëhet lidhja e impianteve të prodhimit
të energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore me rrjetin e OSHEE-së.
Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 kwp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit. Për këto impiante do të lejohet lidhja me rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së porsaardhur dhe asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i shitet furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rreguillator i Energjisë.
Ndërkaq, aplikimi për lidhjen e impiantit PV dhe matësit me dy drejtime në rrjetin e shpërndarjes, do të bëhet pranë OSHEE në rubrikën shërbime on-line sipas procedurave të ngjashme për lidhjet reja. Dokumentacioni për aplikimin, duhet të shoqërohet të paktën me: Plotësimi i formularit të aplikimit, raportin e auditit energjetik të lëshuar nga auditiuesi i çertifikuar si dhe projektin e miratuar nga persona fizike dhe juridike të licencuar për lidhjen e impiantit PV me rrjetin e shpërndarjes.
Detyrim për vetëprodhuesit e energjisë është instalimi I një matësi me dy drejtime , që duhet të matë energjinë elektrike që subjekti merr nga rrjeti i OSHEE dhe energjinë elektrike që subjekti (impianti PV) fut në rrjetin e OSHEE. Sipas duhëzimit, autorizimi për lidhjen me rrjetin e OSHEE do bëhet brenda 20 ditësh pune.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.