Vetting, lapsuse me pasurinë – Dvorani drejt konfirmimit, Faqolli deklaratë me lekë të vjetra
Një lapsus në deklaratën e pasurisë Vetting ka qenë fjala kyç në seancën dëgjimore të anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas relacionit të Komisionit, Dvorani ka pasqyruar rregullisht nga viti 2003 deri në 2016 pasuritë e tij dhe të familjarëve. Lapsusi ka ndodhur në deklaratën Vetting të vitit 2017, kur ai nuk ka deklaruar llogaritë bankare të familjarëve, me vlerë rreth 99 milionë lekë. Lapsusi është kapur nga ILDKPI, e cila ka konsideruar të pasaktë deklaratën e fundit të gjyqtarit. Vlerësimi i ILDKPI nuk është marrë për baza nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit, i cili ka hetuar për llogari të vetën pasaktësinë, duke i dhënë mundësi Dvoranit të jepte shpjegime për këtë mospërputhje.
Në përgjigje Dvrorani shpjegoi se ishte vënë në dijeni të pasaktësisë vetëm gjatë verifikimit të deklaratave pas nisjes së procesit të Vetting-ut. Ai nënvizoi se nuk ishte vënë në dijeni nga ILDKPI për pasaktësinë. Dvorani sqaroi se lapsusi për deklaratat e llogarive bankare kishte ardhur pasi qenë të njëjtat që dërgoheshin në ILDKPI vit pas viti. Në deklaratën e fundit, ai nuk kishte përfshirë gabimisht 4 faqet me llogaritë e familjes së tij. Pasuritë e tjera, të përbëra nga një apartament në Tiranë, dy pjesë takuese të dy apartamenteve në bashkëpronësi me familjarë, si dhe një mjet i blerë me leasin, ishin pasqyruar saktë nga Dvorani.
Ndërkohë që më tepër pasaktësi paraqiste deklarata e pasurisë së Astrit Faqollit, Gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës, edhe ai i paraqitur në seancë dëgjimore rë hënën paradite. Ai zotëron një dyqan, një banesë dhe një bodrum në Librazhd, si dhe një apartament 83 metra katrorë në Tiranë me vlerë 42 mijë euro. Ai kishte marrë edhe dy hua, të konsideruara të justifikueshme nga Komisioni, ndërkohë që pasaktësitë lidheshin me disa llogari bankare, pasqyrimin e huave, si dhe me deklaratat e pasurisë për vitet 2005-2006 të pasqyruara në lekë të vjetra. Fakti që u prit me cudi edhe nga anëtarja e ONMS-së. Faqolli shpjegoi se pasaktësitë ishin thjesht lapsuse dhe se ishin korrigjuar në deklaratat e mëpasshme.
Vendimi përfundimtar për karrierën e dy gjyqtarëve do të jepet në vijim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.