Vetting politikës, shprehet Venecia – Palët e interpretojnë sipas mënyrës së tyre, replika Rama-Basha
Mazhoranca dhe opozita kanë nxituar menjëherë të interpretojnë sipas mënyrës së tyre opinionin e Komisionit të Venecias mbi nismën e Partisë Demokratike për Vetting-un e politikanë, i ardhur paraditen e së premtes.
Reagimi i parë ka ardhur në rrjetet sociale nga Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili e përkufizoi përgjigjen lajm i mire për shqiptaret dhe i keq për politikanet mafioze.
“Opinioni i miratuar sot nga Komisioni i Venecias përcaktoi guiden e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar që, ashtu si Dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanet e lidhur me Mafian. Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorances të ulët në dialog konstruktiv me Opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit sipas udhëzimeve të Komisionit dhe shprehu gatishmërinë për të asistuar më tej në përfundimin e këtij procesi”, shkruan Bylykbashi.
Po përmes rrjeteve sociale ka bërë interpretimin e vet edhe Kreu i Qeverisë Edi Rama me nota ironike ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“”Eh Artist, s’më vjen mirë për ty, po ti s’ve mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Interpretim që është pasuar menjëherë me nota të ashpra nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sipas të cilit koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron.
”Hajduti psiqik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vetingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga lidhjet me krimin! Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”, shkruan Basha.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.