Vetting, reagimet e qytetarëve – 1186 denoncime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve në 8 muaj
Në tetë muajt e fundit, pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi kryesor i Vetting-ut. janë depozituar 1186 denoncime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.
E dhëna zyrtare vjen përmes Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucioni ku janë depozituar denoncime e qytetarëve.
620 prej këtyre denoncimeve u përkasin muajve të fundit të vitit 2017, ndërsa pjesa tjetër është depozituar gjatë këtij viti.
Sipas Komisionit, shumica e denoncimeve të depozituara në kohë janë në formën e ankesave ndaj vendimeve të cilësuara prej qytetarëve si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë. Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave.
Mes tyre, sipas Komisionit, ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit, shqyrton dhe vendos për të.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.