Vetting, rrezikon Prokurori i Tiranës – Fitoi 5.8 mln me baste, Kaloçi nuk justifikon dot pasuritë
Prokurori i Apelit të Tiranës Luan Kaloçi është magjistrati i radhës që rrezikon të shkarkohet nga vetting-u. Ai është nën akuzë për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë të burimeve financiare. Ai është paraqitur mesditën e së martës përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku i është dashur të japë shpjegime të shumta për një apartament me sipërfaqe 140 metra katrorë, bashkë me një dyqan 132 metra katrorë në Tiranë.
Apartamenti qe deklaruar me vlera të ndryshme në vite, nga 1.9 milionë lekë, deri 52 mijë dollarë, ndërkohë që ndryshime kishte shënuar edhe sipërfaqja. Ndërsa dyqani një herë qe deklaruar si dhuratë, ndërsa më tej si blerje me shuma të ndryshme. Një tjetër pikë me probleme në pasurinë e tij ishte edhe shitja e një apartamenti në Elbasan, që fillimisht qe deklaruar me vlerë 200 mijë lekë, por më pas qe deklaruar si burim fondesh për blerjen e pronave në Tiranë. Dyshime për Komisionin sillte edhe një shumë prej 5.8 milionë lekësh të fituara nga një kompani bastesh, ashtu si dhe një hua e marrë për studimet e së bijës në Itali, në një kohë kur ajo ishte vetëm 15 vjeç.
Avokati i Prokurorit, Ardian Visha vuri në dispozicion të Trupës Gjykuese një material sqarues prej 14 faqesh, ndërkohë që vetë Kaloçi sqaroi se pjesa më e madhe e mospërputhjeve ishin të shkaktuara nga informaliteti i lartë në vend, nga problemet e ndërtuesit me dyqanin, si dhe lapsuse të vetë atij në plotësimin e deklaratave të pasurisë.
Përpara Komisionit të Vetting-ut, edhe ILDKPI kishte theksuar zyrtarisht se Kaloçi ka kryer fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Kaloçi është ndër emrat që i nënshtrohet me përparësi Vetting-ut si anëtar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vendimi përfundimtar për qëndrimin apo përjashtimin e tij nga sistemi do të merret më 5 korrik.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.