Vetting-u “boshatis” organin e akuzës – Raporti i KLP: Kanë mbetur 284 prokurorë nga 336 të caktuar me ligj. Problem, mbulimi i 15 drejtuesve
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar raportin për vitin 2019, ku bien në sy problematika të shumta për shkak të shkarkimeve nga Vetting-u. KLP bën me dije se në strukturën e sistemit prokurorial në të gjithe Shqipërinë janë të planifikuar për nevoja të sistemit në total 336 prokurorë. Ndërkohë gjendja faktike e tyre rezulton 284 prokurorë deri më datë 31.12.2019.
Diferenca prej 52 prokurorësh tregon vakanca në sistem që kanë ardhur për disa arsye, ndër më kryesoret dhe që kanë ndikuar dukshëm në pengimin e punës së prokurorive është largimi si rezultat i rivlerësimit kalimtar të magjistratëve prokuror nga organet e KPK dhe KPA.
Një prej vështirësive kryesore ka qenë numri i madh i shkarkimeve të drejtuesve të prokurorive, të cilët për shkak të detyrës kanë qenë edhe të parët që kanë kaluar në sitën e Vetting-ut. Sipas KLP, 15 prokurorë janë të caktuar përkohësisht si Drejtues Prokurorie, përkatësisht 10 Drejtues në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe 5 Drejtues në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit;
7 prokurorë rezultojnë të caktuar përkohësisht në pozicione të ndryshme, në të gjitha shkallët e Prokurorisë me vendim të KLP. 7 magjistratë janë emëruar dhe caktuar në pozicion në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, 3 prej të cilëve të rikthyer rishtaz në sistem.
Ndërkaq, gjatë vitit 2019, janë emëruar dhe caktuar në pozicion gjithsej 6 magjistratë të rinj, shumë pak për të plotësuar numrin madh të vakancave të shkaktuar nga proccesi i Vetting-ut.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.