Vettingu i policisë – Hodaj: Votimi i pr/ligjit sjell konsolidim të agjencive ligjzbatuese
Miratimi me 88 vota i projektligjit për “Vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, pritet të sjellë konsolidimin e agjencive ligjzbatuese në vend.
Në një deklaratë për mediat, Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj u shpreh optimist duke e quajtur një dëshmi të qartë të vullnetit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të ndërtuar institucione të forta me njerëz me integritet.
“Kjo reformë është dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të ndërtuar rregulla të forta për njerëz me integritet, për të ndërtuar institucione ligjzbatuese dhe për t’i ngritur ato në standardet europiane. Policia dhe organet e tjera ligjzbatuese nuk i përkasin as qeverisë, as mazhorancës së sotme. Ato janë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë arsye është bërë një përpjekje maksimale për të patur një konsensus sa më të gjerë”.
Projektligji për “vetingun” u votua në seancën e së hënës dhe tashmë është në dorën e presidentit për tu shprehur brenda një afati kohor 20 ditë.
Pas hyrjes në fuqi, 15 ditë nga publikimi në fletoren zyrtare, çdo punonjës policie mund të dorëzoje dokumentet, brenda këtij afati pritet të ngrihet komisioni i jashtëm i vlerësimit dhe sekretariati teknik përkatës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.