Vettingu, KPK: Numër i lartë ankesash nga qytetarët për vendimet gjyqësore. Verifikimet që do kryejë institucioni
Numër i lartë ankesash janë depozituar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve mbi vendimet gjyqësore. Lajmi është dhënë në një deklaratë për mediat nga institucioni, ku më tej theksohet se ato do të shërbejnë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe se çështjet e qytetarëve nuk do të trajtojë në themel, pra theksohet se institucioni nuk do të kryejë funksionin e gjykatës.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve i gjendur përballë një numri të madh ankesash nga publiku mbi vendimet gjyqësore dhënë ndaj tyre e gjykon të sqarojë opinionin publike lidhur me funksionimin e këtij komisioni gjatë pritjes së qytetarëve për plotësimin e Formularit të Denoncimit. Është vënë re pritmëria që ka publiku lidhur me veprimtarinë e komisionit dhe besimin se kjo strukturë do të shqyrtojë vendimet gjyqësore. Në disa raste të tjera publiku ka pritshmërinë se Komisioni do të hetojë veprimtarinë dhe shkeljen e disa funksionarëve të administratës publike ose se mund të ndërhyjë për të zgjidhur një situatë emergjente familjare të ankuesit dhe të vendosë dorëzimin e shkelësve në organet e policisë. Sqarojmë opinionin publik duke mirëkuptuar shqetësimin e të gjithëve se Komisioni nuk do të trajtojë çështjet e tyre në themel, pra nuk do të kryejë funksionet e gjykatës, por të gjitha provat dhe faktet që qytetarët do të bashkëngjisin me Formularin e Denoncimit, do të konsiderohen gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe në dhënien e vendimit vetëm për këta subjekte”.
Më tej, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vijim të sqarimit të publikut ka thënë se ky institucion do të kryejë vlerësimin e pasurisë dhe vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve, bazuar mbi të dhënat e ardhura nga Formulari i Denoncimit.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kryen vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve përveç të tjerash edhe duke hetuar mbi informacionet e ardhura nëpërmjet Formularit të Denoncimit”, thuhet në njoftim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.