Vëzhgim për tregjet në zhvillim! Një mundësi 2.5 trilionë dollarë për tregtinë elektronike
Përqindja e njerëzve që blejnë produkte online nga vendet në zhvillim si Brazili, Kina, India apo Turqia është dyfishuar midis periudhës 2011-2016, ndërsa për këtë vit përfaqësojnë 31% të blerjeve totale. Në këtë përfundim arrin një studim i “Credit Suisse Research“, i bazuar në intervistimin ballë për ballë të 14 mijë personave.
Bazuar në ritmet aktuale të rritjes, raporti projekton se, tregu e- commerce në tetë vendet në zhvillim të marra në studim, do të rritet në 2.5 trilionë dollarë në vitin 2025 nga 1 trilion që ishte në vitin 2016. Këto shifra varen kryesisht nga përhapja e shpejtë e qasjes në internet në të gjitha anët e botës.
Në Brazil, për shembull, 91% e të intervistuarve kishin akses në internet, nga 84% që ishte kjo shifër në vitin 2016 dhe 56% në vitin 2010. Kina, Rusia dhe Turqia gjithashtu raportuan një shifër më të lartë se 80% të popullatës së rritur që ka akses në internet. Vendi me shkallën më të ulët të depërtimit të internetit është Indonezia me 51%, por që gjithsesi, kjo shifër është trefishuar që nga viti 2010.
Raporti i “Credit Suisse“ sjell edhe disa gjetje të tjera interesante. Për shembull, 42% e konsumatorëve të moshës mbi 56 vjeç në tregjet në zhvillim dhe 57% e konsumatorëve me të ardhura të ulëta kanë akses në internet. Këto shifra janë dukshëm më të larta, krahasuar me vitin e kaluar. Aktivitetet që janë më popullore janë lojërat online, mesazhet, muzika, videot apo mediat sociale. Kjo tendencë në rritje për të blerë në internet sjell mundësi dhe sfida të reja për shitësit globalë, shumë prej të cilëve ende përpiqen të arrijnë shpejtësinë e tregtisë digjitale në vendet e tyre.
Fokusi në tregjet më të mëdha dhe me rritje të shpejtë
Kina është tregu më i madh për e-commerce, me mbi 60% të konsumatorëve që bëjnë blerje “online”. Ky zhvillim i jep shitësve një bazë të fuqishme për targetimin e konsumatorëve, shumë prej të cilëve tashmë janë mësuar me e-commerce. Edhe në vitin 2025, me shumë mundësi Kina do të përfaqësojë rreth 75% të kësaj mundësie prej 2.5 trilionë dollarësh. Megjithatë, është e rëndësishme për të parë se, cilat tregje po rriten më shpejt.
Raporti i “Credit Suisse“ tregon se, rruga drejt blerjeve “online” është më e shpejtë në Indi dhe Turqi. Në Indi, 50% e konsumatorëve kryejnë blerje në internet, krahasuar me 32% në vitin 2014. Ndërsa në Turqi, pjesëmarrja e konsumatorëve “online” është rritur nga 19% në vitin 2014 në 32% aktualisht. Duke parë në të ardhmen, konsumatorët në Indi dhe Turqi shprehen se, do të rrisin shpenzimet e tyre, gjatë këtij viti. Edhe Brazili ofron të ardhme të fuqishme. Shpenzimet “online” janë rritur me 8%, gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se shpenzimet totale të shitjeve me pakicë ranë me 6.2%.
Pika e fortë, përdorimi i smartfonave
Nuk është më surprizë që me rritjen e përdorimit të smartfonave, edhe pjesa më e madhe e blerjeve online të kryhet nga këto pajisje. Më tepër se 50% e konsumatorëve në tregjet në zhvillim i përdorin telefonat e tyre për të pasur akses në internet, ndërsa kjo shifër është akoma më e lartë, mbi 80%, në Kinë, Brazil dhe Turqi. Kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat rurale, ku nuk ekzistojnë lidhjet kabllore për internet.
Dhe referuar kërkimeve të “Google“, blerësit në tregjet në zhvillim kanë më shumë gjasa të përdorin smartfonat e tyre, krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar. Shitësit që synojnë të depërtojnë më thellë në këto tregje, duhet të investojnë në ngritjen e faqeve të reja për telefoninë e lëvizshme, në mënyrë që të jenë të thjeshta për t’u aksesuar dhe për të blerë produkte.
Një shprehje thotë: “Asgjë nuk e vret shitjen e një produkti, sesa një faqe interneti e ngadaltë”. Për këtë arsye, kompanitë e këtij sektori përpiqen të ndërtojnë faqe interneti sa më të thjeshta. Përveç logjistikës së ofrimit të shërbimeve, një pengesë e madhe për tregtinë elektronike në tregjet në zhvillim është mungesa e qasjes në kartat e kreditit, apo në format e tjera të pagesave elektronike. Në Kinë, Indi, Meksikë, Afrikën e Jugut dhe Rusi, mbi 90% e transaksioneve bëhen me para’ “cash”, referuar të dhënave të vitit 2013, krahasuar me 47% në Mbretërinë e Bashkuar apo 55% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto kushte kërkojnë disa pagesa alternative nga shitësit në internet. Megjithatë, për shkak se edhe sektori bankar po bën pjesën e vet për të rritur përdorimin e kartave të kreditit, parashikohet që këto sfida të zvogëlohen. Përqindja e shpenzimeve, duke përdorur kartat e kreditit është aktualisht mbi 50% në Brazil, Turqi, Kinë, Meksikë dhe po rritet gradualisht në Indi, duke prekur nivelin e 45% gjatë vitit të kaluar. Së fundmi, qeveria indiane ka hequr nga qarkullimi disa kartëmonedha me vlerë të lartë nominale, si pjesë e përpjekjes për të rritur përdorimin e kartave të kreditit.
Njohja e rivalëve
E-commerce është një treg që zhvillohet me shpejtësi. Në shumë tregje, ekzistojnë kompani të shumta si “Amazon“ në SHBA. “Snapdeal“ dhe “Flipkart“ operojnë në Indi, ndërsa “Mercado Libre“ në Meksikë. Si në Indi ashtu edhe në Meksikë, analistët e “Credit Suisse“ e shikojnë rrjetin e supermarketeve “Wal-Mart“, si një konkurrent serioz për shitësit online.
“Amazon“ hyri në tregu e Meksikës me një formë të shkëlqyer në vitin 2015, ndërsa në mars të 2017-ës, ofroi shërbimin e quajtur “Prime”, që përfshin blerje online me taksa zero dhe video-streaming për 23 dollarë në muaj. Gjithsesi, duhet pasur kujdes, pasi përdorimi më popullor i internetit në tregjet në zhvillim është media sociale. 80% e konsumatorëve e përdorin internetin për këtë qëllim.
Platformat më të mëdha të tregtisë elektronike, duke përfshirë edhe ato kineze si “Alibaba“, “JD.com“ dhe “Vipshop“, dhe që bashkojnë shumë marka, kanë investuar shumë në analizimin e të dhënave, duke përfshirë edhe sistemet e pagesave apo të shpërndarjes së porosive. Nëse kompanitë e këtij sektori do t’i paraprijnë kërkesave të konsumatorëve, atëherë do të përfitojnë shumë nga kjo mundësi prej 2.5 trilionë dollarësh e tregtisë elektronike ose e-commerce.
Nga Lidion Kulla/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.