VIDEO-Ndalohet importi e tregtimi i kapsollëve, Ministria e Brendshme: Do të intensifikojmë kontrollet e ndëshkimet!
Ministria e Brendshme kërkon ndërprerjen e importit e tregtimit të mjeteve shpërthyese si kapsolla apo mjete shpërthyese të tjera. Në një deklaratë për mediat, ku u shfaqën edhe testime të pasojave që shkaktojnë mjete të tilla plasëse, zëvëndësministrja e Brendshme Romina Kuko tha se duhet të ndërpritet menjëherë tregtimi i tyre pasi do të ketë penalitete.
Numri dy i ministrisë së Brendshme paralajmëroi shtimin e kontrolleve ndërsa ftoi qytetarët që të denoncojnë rastet e tregtimit apo disponimit të këtyre mjeteve shpërthyese.
“Ministria e Brendshme u kërkon ndërprerjen e importit, magazinimit e tregtimit të të gjitha lëndëve plasëse e mjeteve shpërthyese me efekte të tilla që i drejtohen tregut të gjerë. Të ndërpritet tregtimi menjëherë dhe të dorëzohet produkti me këtë përmbajtje duke lajmëruar komisariatin. Kush kapet me këtë produkt apo do të disponojë të tilla lëndë do të ndalet e të ndëshkohet konform ligjit.
Në prag të festave Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve familjarëve apo kujdestarëve që të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit. Ministria fton qytetarët që të raportojnë në rrugët e mundshme rastet e tregtimit të lëndëve plasëse shpërthyese apo piroteknike”tha Kuko. Më tej zëvëndësministrja kujtoi ngjarjen e pak ditëve më parë, në protestën para parlamentit, ku si pasojë e një mjeti shpërthyes të tillë mbeti e plagosur një punonjëse e policisë së shtetit
“U kërkojmë subjekteve politike që të mbajnë në kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive me qëllim ndalimin kategorikisht të mjeteve të sipërpërmendura” tha Kuko duke shtuar se qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standartet e licencimit të subjekteve që importojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme.
Kuko tha se Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera do të intensifikojnë kontrollet për të eleminuar rrezikun e sigurisë publike që buron nga përdorimi i këtyre lëndëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.