Vidhnin para dhe sende me vlerë në banesa dhe biznese – Policia arreston në flagrancë 3 shtetas
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas njoftimit të marrë se në orët e para të mëngjesit ishin vjedhur 2 biznese dhe 1 banesë në Lushnjë, menjëherë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Trio”. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale arrestuan në flagrancë shtetasit: N. Z., 36 vjeç, (i dënuar më parë për vjedhje), E.K., 40 vjeç dhe K.M., 27 vjeç, të tre banues në Fier.
Sipas njoftimit këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen “Kadri Qystri” kanë vjedhur biznesin në pronësi të shtetasit D. Sh., në lagjen “Loni Dhamo” kanë vjedhur banesën e shtetases N. K. dhe në lagjen “Kadri Qystri” kanë tentuar të vjedhin biznesin në pronësi të shtetasit A. S.
Policia informon se nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajit maj dhe gusht, këta shtetas kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 3 banesa, konkretisht në datën 11.05.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit J. P., në datë 10.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit E. E., dhe në datë 12.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit A. H.
Sipas informacionit të publikuar gjatë operacionit, Policia ka bërë sekuestrimin e shumës prej 3830 euro, 40 paund, 125.200 lekë të rinj, disa bizhuteri, 3 aparate celularë, pajisje që përdoreshin nga autorët për të kryer vjedhjet si dhe automjeti i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.