Vidhte biçikleta – Policia arreston shtetasin 28-vjeçar në Tiranë
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor “Çiklisti” duke vënë në pranga një 28 vjeçar nga Durrësi i cili kryente vjedhje biçikletash në Tiranë.
Sipas njoftimit, janë zbardhur 7 raste të vjedhjeve të biçikletave dhe janë sekuestruar 4 biçikleta, si dhe sendet që shtetasi përdorte për të realizuar vjedhjet. Policia tha se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa qytetarë që u kishin vjedhur biçikletat, kanë organizuar punën për zbardhjen e këtyre rasteve dhe kapjen e autorëve.
Sipas njoftimit, si rezultat i punës së bërë, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se kishte kryer këto vjedhje, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr 3 kanë finalizuar operacionin e koduar “Çiklisti”, ku kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit G. B., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.
Policia i gjeti shtetasit, në momentin e ndalimit në rrugën “ Don Bosko”, Tiranë , 4 biçikleta të vjedhura, si dhe sendet që përdorte për kryerjen e vjedhjeve, konkretisht: thikë, kaçavidë, çelësa të vegjël biçikletash, pinca, kapele për maskim etj.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve, bazuar në prova të grumbulluara dhe pamje filmike dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 vjedhjeve të tjera biçikletash, të ndodhura gjatë muajve mars-prill të këtij viti në Tiranë.
Sipas njoftimit, po vijon puna në bashkëpunim me komisariatet e tjera të Policisë në varësi të DVP Tiranë, për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të biçikletave të ndodhura në Tiranë pasi dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe vjedhje të tjera të biçikletave duke ua shitur personave të rastësishëm në shuma më të vogla nga vlera e tyre reale. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë dhe shtetasi E.Gj.,41 vjeç banues në Tiranë për veprën penale “Përvetësim i sendeve të vjedhura”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.