Vidhte farmaci, zyra shtetërore dhe filiale banke – Policia arreston 22 vjeçarin
Policia e Shtetit ka bërë me dije se në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me dhunë apo me armë, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirë organizuar, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit K. Ç., 22 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Sipas njoftimit ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 4, si autor i dyshuar për vjedhjen e një filiali të një institucioni për dhënie kredie, për vjedhjen e një farmacie, si dhe për tentativë vjedhje të një pike UKT-je, konkretisht:
- I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në filialin e një institucioni për dhënie kredie, ngjarje e ndodhur më datë 23.01.2021, rreth orës 13:40, në rrugën “Bardhyl”;
- I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në një farmaci, ngjarje e ndodhur me datë 21.01.2021, në bulevardin Zhan D’ark.
- I tentativës për vjedhje të zyrave të UKT-së, ngjarje e ndodhur më datë 08.02.2021, në rrugën “Sitko Çiço”;
Policia njofton se gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan një pistoletë çakmak, e cila është përdorur për kryerjen e vjedhjeve(fiksuar nga kamerat e sigurisë), dokumente të ndryshme dhe një kartë identiteti e shtetit kosovar, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja” e mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.