Vijojnë punimet për Lotin II – FSHZH: Siguron përfitime sociale dhe ekonomike, lidh më shumë se 60 fshatra
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar vijimin e punimeve për rikonstruksionin e Lotit 2.
Sipas njoftimit, aktualisht po bëhen gërmime, për hapjen e trasesë së rrugës së lumit të Vlorës.
FSHZH tha se punimet në LOT II, i cili përfshin segmentin Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos dhe ka një gjatësi prej 27.1 km, parashikojnë: përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave, 9 ura të reja me gjatësi nga 30-150m, vepra të tjera, si mure mbajtëse dhe pritëse si dhe sistemin e trotuareve dhe ndriçimit në zonat e banuara.
Sipas njoftimit, i financuar nga qeveria shqiptare, Fondi Kuvajtian dhe Fondi Saudit kjo rrugë siguron lidhjen të më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40.000 banorë me qytetin e Vlorës. Gjithashtu, studimi i fizibilitetit ka nxjerrë në pah, se kjo rrugë do të gjenerojë një numër përfitimesh sociale dhe ekonomike përfshirë aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për fermerët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale, përmes intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese si dhe nxitjen e zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikleta, të cilat eventualisht do të sjellin transformimin e të gjithë luginës në një atraksion turistik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.