Vijon aksioni i tatimeve në zonat turistike – Bllokohen dhomat dhe apartamentet e paregjistruara
Prej disa javësh vijon aksioni i strukturave të hetimit tatimor në subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në të gjithë vendin.
Të ndarë sipas rajoneve, kontrollet janë të përqendruara: në jug në Sarandë, Ksamil, Himarë, etj.; në rajonin qendror në Durrës nga Gjiri i Lalzit në Spille dhe në Korçë nga Pogradeci në Dardhë e Voskopojë; në veri në qarqet Shkodër e Lezhë, nga Velipoja në Tale e Patok si dhe në zonat malore të Valbonës, Razmës, Thethit, etj.
Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Verior njofton se që nga data 22 qershor ka marrë masa për 186 subjekte, nga 397 subjekte të verifikuara, me një vlerë prej rreth 6.9 milionë lekësh.
Ndër subjektet e konstatuar 34 janë ndëshkuar për moslëshim kuponi, 28 për mosdeklarim punonjësish, 25 për mall pa faturë tatimore, 14 për mosmbajtje në gjendje pune të pajisjes fiskale, 12 për shitje pa faturë dhe 19 subjekte të cilat kanë qenë të paregjistruara në organet tatimore.
Megjithatë, fokusi i aksionit duket se mbetet bregdeti jugor. Nga kontrolli i fundit, organet tatimore njoftojnë bllokimin e 7 subjekteve të paregjistruara në Ksamil, Sarandë, Borsh dhe Potam. Kjo përfshin edhe ata individë që japin banesa apo dhoma me qira përmes portaleve online, por nuk janë të regjistruar si subjekte akomoduese në organet tatimore.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.