Virusi i Wuhan/ Konfirmohet rasti i parë edhe në Gjermani!
Rasti i parë i përhapjes së koronavirusit vdekjeprurës në Kinë është konfirmuar edhe në rajonin jugor të Bavarisë së Gjermanisë, bëri me dije ministria e shëndetësisë bavareze. “Një burrë në rajonin e Starnberg është infektuar me koronavirusin,” tha një zëdhënës i ministrisë, duke shtuar se ai është nën mbikëqyrje në një repart izolimi.
Ministria nuk dha detaje të mëtejshme se si pacienti u infektua por tha që ai ishte në një gjendje “të mirë mjekësore”. Ajo nuk zbuloi detaje mbi moshën ose kombësinë e pacientit. “Njerëzit të cilët kanë qenë në kontakt (me pacientin) janë informuar në detaje në lidhje me simptomat e mundshme, masat higjienike dhe kanalet e transmetimit,” tha ministria e shëndetësisë bavareze.
Franca ishte vendi i parë europian që u prek nga shpërthimi i virusit të Wuhan, i cili ka raportuar tre raste të njohura të virusit. Të tre kishin udhëtuar së fundmi në Kinë dhe janë vendosur në izolim.
Gjermania u ka rekomanduar qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet “të panevojshme” në Kinë ndërsa përhapet virusi. Vendi po shqyrton gjithashtu evakuimin e mundshëm të shtetasve të tij nga qyteti kinez Wuhan, ku është epiqendra e virusit.
Të Dielën, gazeta gjermane Welt citoi një zëdhënës të ministrit të shëndetësisë Jens Spahn duke thënë se vendi ishte gati të merrej me fenomenin. “Gjermania është e përgatitur mirë për një pandemi,” tha ai. “Ka plane të qarta pandemie, ushtrime të rregullta dhe burime për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive. “Ne vazhdimisht po bashkërendojmë me të gjitha autoritetet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për situatën.”
Rastet janë identifikuar në më shumë se një duzinë vende të tjera, përfshirë pacientët e parë të konfirmuar në Kanada dhe Sri Lanka. Shtetet e Bashkuara u kërkuan qytetarëve të saj që të “rishqyrtojnë” të gjithë udhëtimin në Kinë dhe u thanë atyre të mos shkojnë në provincën qendrore të Hubeiit, ku u shfaq virusi i pneumonisë. Mongolia mbylli kufirin e saj të gjerë për automjete nga Kina.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.