“Virusi nuk ka dalë nga laboratori” – Ekspertët e OBSH-së hedhin poshtë teorinë konspirative
Një grup ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë hedhur sërish poshtë teorinë se virusi ka rrjedhur nga një laborator në Kinë, në një artikull të ri të publikuar në revistën akademike, Nature. Më herët gjatë këtij viti, 17 ekspertë kinezë dhe 17 të huaj të OBSH-së formuan një ekip për të kryer një hetim 28-ditor në qytetin e Vuhanit, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur origjinën e virusit.
Ekspertët publikuan një raport në mars, ku thuhej se është ekstremisht e pamundur që virusi të ketë dalë nga laboratori i Vuhanit dhe shprehën rëndësinë e hetimeve për përhapjen e virusit në vende të tjera, përpara se të zbulohej në Kinë. Në një artikull të përbashkët, më shumë se 10 ekspertë të OBSH-së kanë bërë thirrje publike për dorëzimin e çdo të dhënë pranë Organiztës Botërore të Shëndetësisë, që mbështet teorinë se virusi ka dalë nga laboratori.
Por, deri më tani asnjë e dhënë e tillë nuk është publikuar. Përpara publikimit të këtij raporti, disa vende rritën presionin ndaj OBSH-së, duke thënë se Kina nuk i ndante të dhënat e plota dhe se organizata nuk po i kushton shumë vëmendje teorisë së rrjedhjes së virusit nga laboratori. Referuar kësaj teorie, artikulli thotë se kjo nuk ishte pjesë e misionit të ekspertëve të OBSH-së, por patën diskutime të sinqerta me shkencëtarët kryesorë në Vuhan dhe nuk gjetën prova për të vijuar hetimin.
Artikulli bën thirrje që gjurmimi i origjinës së koronavirusit është një prioritet global i bazuar në shkencë, që aktualisht është në një fazë kritike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.