Viti i ri akademik – Fakulteti i Drejtësisë me sistem 5 vjeçar, si do të funksionojë
Nga ky vit akademik për studentet qe nisin studimet në fakultetin e drejtësisë nuk do të aplikohet më karta e Bolonjës pasi dekanati ka vendosur të ndryshojë programet e studimit.
Dekani i këtij Fakulteti Artan Hoxha sqaron se të gjithë studentët që do të regjistrohen do të ndjekin programin pesëvjeçar të Bachelor dhe Master në të njëjtin program studimi, raporton Ora News.
“Për vitin e ri akademik ne përgatitemi të fillojmë studimet me program të integruar 5 vjeçar, masteri i nivelit të dytë. Është një detyrim që vjen nga ligji drejtpërdrejt. Nuk është vetëm për fakultetin tonë por është për të gjithë universitetet që ofrojnë arsim juridik duke u larguar nga programi i mëparshëm. Për shkak se ne kemi një program të vetëm të hyrjeve të reja këtë vit në universitet kemi llogaritur një numër që ne vlerësojmë se është i pranueshëm për Fakultetin e Drejtësisë. Këtë vit Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë do të ketë vend për 750 studentë që fillojnë vitin e ri me programin e ri të studimeve”, deklaroi Hoxha.
Pavarësisht këtij ndryshimi ende nuk ka një numër të përcaktuar qartë të kuotave dhe të tarifave për studentët e këtij fakulteti por në bazë të këtij vendimi të ri pritet të ketë njësim të tarifave dhe rritje të numrit të kuotave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.